KONKURSI "BEST SOMMELIER OF THE WORLD" DHE ASEMBLEA E PERGJITHSHME – SANTIAGO CHILE 2010

Për Sommelierinë Botërore dhe për atë Shqiptare, viti 2010 ishte një vit plot me aktivitete të rëndësishme.

Direkt pas panairit të Vinitaly, delegacioni i O.SH.S (Presidenti -D.Elezi dhe kandidati në konkurs- A.Mita) u nis për në kryeqytetin Santiago të Kilit për të marrë pjesë në konkursin "Best Sommelier of the World" dhe në Asamblenë e Përgjithshme të ASI.

Menjëherë pas mbërritjes dhe akomodimit në një nga strukturat më luksoze të kontinentit (W Hotel de Santiago), delegacioni u prit nga autoritete të Sommelierisë botërore, asaj kiliane si dhe përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë së Kilit.

Në konferencën e shtypit të mbajtur për rastin, u qartësua programi i konkursit, u prezantuan pjesmarrësit si dhe u vlerësua roli i Sommelierisë anembanë botes në rritjen dhe vlerësimin e kulturës enogastronomike.

 

Konkurentët kishin një program specifik të lidhur me kohët e provave dhe etapave të ndryshme i cili ndërthurej me programin e pjesës tjetër të pjesmarrësve në këtë aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar.

 

Në Asamblenë e Përgjithshme të zakonshme të ASI të zhvilluar në një nga ambientet e Montes Alfa Winery, u diskutuan tema të ndryshme të ecurisë didaktike dhe profesionale, anëtarësimet e reja, programi vjetor dhe raporti financiar.

Duke pasur parasysh tërmetin e fuqishëm që goditi Kilin, në shenjë simbolike të gjithë delegacionet e vendeve të ndryshme ofruan shuma të ndryshme monetare të cilat i'u dorëzuan Z.Hektor Vergara – President i Sommelierisë Kilene.

Z.Vergara, pasi falenderoi të gjithë delegacionet për gjestin, u zotua se me atë shumë do të blihej një bus i cili do t'i dhurohej një shkolle në një nga fshatrat më të prekura nga tërmeti me qëllim  përmirësimin e lëvizjes së nxënësve infante.

Një aktivitet shumë i rëndësishëm në program ishte ai i zhvilluar nga Istituti Kilian i Zhvillimit të Bujqësisë në bashkëpunim me disa nga enologët dhe prodhuesit më cilësor të Kilit (Montes Alfa,Conca y Toro, San Pedro etj), i cili kishte si qëllim njohjen tekniko-shkencore me varietetet e hardhive në Kili, sasitë e mbjella dhe evolimi në kohë, studimet mbi territoret dhe mikroklima specifike si dhe të dhena mbi legjislacion kilian të vreshtarise dhe verëtarisë.

Ishte eksperiencë me shumë vlera përsa teknikave të prodhimit të verës vizita tek prodhuesit Montes Alfa ,Lapostole, Cousino Macul dhe Errazuriz ku tek secili nga këta emblema të vreshtarisë kilene u njohëm me mënyrën e vjeljes, seleksionimit rigoroz, shtrydhjes, fermentimit dhe ruajtjes e stazhonimit. Prodhuesit kilenë, historik në këtë fushë apo të njëzetvjeçarit të fundit, kishin kuptuar rëndësinë e të prodhuarit me cilësi të lartë duke mos anashkaluar asnjë hallkë të zinxhirit prodhues-konsumator (varieteti i duhur në terrenin me mikroklimën e duhur dhe me teknologjinë dhe marketingun e duhur), ndaj edhe mbi 85% e prodhimit është i destinuar për eksport në të gjitha vendet e botës.

Pikërisht strategjia afatgjatë që ndiqet nga prodhuesit kilenë dhe politikat e ndjekura nga shteti   i tyre, bënë të mundur minimizimin e dëmeve dhe humbjeve që kjo industri pësoi nga tërmeti i fuqishëm i Shkurtit.

Konkurrentët, pasi iu nënshtruan fazës së parë të konkursit në të cilën përveç anës teorike me pyetje shumë të ndryshme profesionale duke pasur ndërthurjet enologjike me ato të gjeovitikulturës, gastronomisë dhe legjislacionit ndërkombëtar, patën rastin t'i bashkohen grupit të pjesmarrësve dhe morën pjesë në një vizitë dhe degustim solemn të disa verërave të famshme (Carmeniere, Ge, Don Melchor-Jeraboam) të organizuar në një nga kantinat e prodhuesit Conca y Toro- prodhuesi më i madh kilian(rreth 300.000 ha vreshta).

Juria e konkursit pasi vlerësoi të gjithë konkurentët e fazës së parë, zhvilloi fazën e dytë me 12 gjysmëfinalistët nga të cilët, pas një provimi gjithpërfshirës, dolen 3 finalistët e konkursit: Paolo Basso (Zvicera), Gerard Basset (Britania e Madhe) dhe David Biraud (Franca) të cilët u shpallën në mbrëmjen Gala të organizuar në nder të këtij evenimenti nga një nga sponsorat e ASI – Champagne MOET & CHANDON.

Në ditën e finales së madhe kishte edhe pjesmarrës të ardhur nga qytete të ndryshme të Kilit dhe nga i gjithe kontinenti i Amerikës Latine përveç atyre të regjistruar. Gjithashtu vlen për t'u përmendur prania e madhe e medias nga e gjithë bota dhe puna e shkëlqyer e tyre për të pasqyruar të gjitha etapat e këtij aktiviteti elitar.

Të tre finalistët treguan përgatitje teknike, didaktike dhe klas ekselent, por pervoja dhe zhdërvjelltësia e mjeshtrit të madh- Gerard Basset ishte e mahnitshme.

Pas përfundimit të konkurimit, Juria me anë të Presidentit Kogai shpalli fitues të konkursit Z. Gerard BASSET.

Duhet të theksojmë eksperiencën e Z.Basset në këto nivele ekselente duke pasur parasysh faktin  e arritjes së tij 4 herë në finalen e madhe në konkurset botërore.

Z.Basset është shëmbulli i gjallë i vullnetit dhe punës së pareshtur dita ditës në fushën e sommelierisë i cili me arritjen e tij i tregoi botës se në këtë fushë puna e përditshme dhe azhornimet e vazhdueshme teorike dhe praktike janë çelësi i suksesit.

Nga ekskursionet e mundësuara nga organizuesit në të gjitha zonat vitikole kilene u mundësua një eksperiencë e pakrahasueshme për delegacionin shqiptar në njohjen e verërave dhe produkteve tipike të gastronomisë kilene.

Dëshirojmë të vëmë në dukje mikpritjen e vendasve, punën e madhe të Sommelierisë kiliane, ASI, prodhuesve kilenë si dhe sponsorave dhe mbeshtetësve të ndryshëm që bashkëpunuan për arritjen e këtij aktiviteti pavarësisht fatkeqsisë së madhe natyrore që goditi Kilin pak muaj para zhvillimit të këtij aktiviteti.

Pas  një vizite të detajshme të kryeqytetit kilen dhe një eksperience unike të fituar në këtë aktivitet, delegacioni i O.SH.S u kthye në Shqipëri.

 

 

 

 

free joomla templatesjoomla templates
2024  Sommelieria Shqiptare   globbers joomla template